Policia ka sqaruar situatën e agravuar në Theth, ku IKMT po vijon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në hapësirë publike.
Duke marrë shkasi nga lajmi se u sulmua një fadromë që po prishte ndërtimet pa leje, me molotov, policia e Shkodrës sqaron se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Siç bën me dija policia, një person ende i paidentifikuar goditi me një shishe me lëndë djegëse një urë druri, teksa tentoi djegien e saj. Zjarri u fik menjëherë, por ura mori disa dëmtime.
Sakaq, policia është duke kryer veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që tentoi të djegë urën e drurit.
Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje po vijon në Theth, teksa është kundërshtuar nga banorët e zonës, të cilët edhe janë përplasur me zyrtarët e IKMT-së dhe policinë e shtetit.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:
Në lidhje me një lajm të publikuar në media dhe rrjete sociale, se në fshatin Theth janë sulmuar me lëndë djegëse (molotov) mjetet fadromë të IKMT-së dhe një urë në lagjen “Gjelaj”, sqarojmë se:
Rreth orës 15:35, një shtetas ende i paidentifikuar ka hedhur në rrugë një shishe me lëndë djegëse, duke tentuar djegien e një ure druri, por me ndërhyrjen e Policisë është parandaluar djegia e plotë e saj. Nga zjarri, ura ka pësuar dëmtime të pjesshme.
Sqarojmë se asnjë mjet fadromë nuk është sulmuar me lëndë djegëse dhe nuk është shkaktuar asnjë dëm material apo rrezik për jetën e qytetarëve apo punonjësve të shërbimeve shtetërore.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë ndodhen në zonë, në mbështetje të strukturave të IKMT Tiranë dhe IMT të Bashkisë Shkodër, për zbatimin e planit për prishjen e ndërtimeve pa leje në fshatin Theth.
Grupi hetimor vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personit që hodhi në rrugë lëndën djegëse.
Policia është e vendosur për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe të automjeteve që punojnë në zonë për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe apelon për banorët që të mos kryejnë veprime që pengojnë veprimet e ligjshme të strukturave që operojnë në terren, pasi do të përballen me forcën e ligjit.