Prokuroria e Lartë Publike e Novi Sadit ngriti aktakuzë ndaj 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit të Serbisë, Goran Vesiç e ish-drejtoreshën e Infrastrukturës së Hekurudhave, Jelena Tanaskoviç, në lidhje me shembjen e çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sad-it, më 1 nëntor. 15 persona humbën jetën.
Streha prej betoni në stacionin e rinovuar rishtazi në qytetin verior të Serbisë u shemb dhe gjithashtu shkaktoi dy të lënduar. Prokuroria në Novi Sad njoftoi se 13 të dyshuarit ngarkohen me vepra penale si “krim i rëndë kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Aktakuza u ngrit pas përfundimit të hetimeve për shembjen e strehës.
Tragjedia ndodhi teksa stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive i drejtuar nga Kina. Hekurudha e Serbisë këmbëngul se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë pretendim.
Serbët kanë protestuar rregullisht për aksidentin në Novi Sad për të kërkuar llogaridhënie. Shembja e strehës është shndërruar në ngarkesë politike për presidentin Aleksander Vuçiç, pasi më shumë se 50 fakultete akademike në katër universitete shtetërore, zyrat e disa rektorëve të universiteteve dhe dhjetëra shkolla të mesme u bllokuan në solidaritet me protestat.
Studentët kanë marrë pjesë në protesta ditore, duke bllokuar trafikun për 15 minuta në qytete të ndryshme të Serbisë. Stacioni i trenit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i katër kompanive të udhëhequr nga Kina.
Hekurudha e Serbisë ngul këmbë se rinovimi nuk përfshinte strehën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtojnë këtë.
Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi më 21 nëntor se 11 persona u arrestuan pasi u gjetën përgjegjës për shembjen. Mes tyre ishin ish-ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç e ish-drejtoresha e Infrastrukturës Hekurudhore, Jelena Tanaskoviç.
Ata rrezikojnë deri në 12 vjet burg nëse shpallen fajtorë për akuzat për kryerjen e veprave penale kundër sigurisë publike, rrezikimin e publikut dhe punime të paligjshme ndërtimi.