Stanislav Yanevski, i njohur për rolin e Viktor Krum në sagën “Harry Potter”, është detyruar të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale urgjente për shkak të problemeve serioze me frymëmarrjen.
Aktori e bëri publike gjendjen e tij përmes një postimi në Instagram, ku shfaqej në shtrat spitali me fashë në hundë dhe serum në dorë.
Ai rrëfeu se kishte kohë që përballej me vështirësi për të marrë frymë dhe se kishte vendosur ta mbante situatën për vete për të mos shqetësuar të tjerët. Megjithatë, tani që operacioni ka kaluar me sukses dhe po rikuperohet, ndjeu se ishte momenti për të ndarë lajmin me ndjekësit.
Jam mirënjohës për gjithë dashurinë dhe urimet që më keni dërguar. Do të mund të marr frymë lirshëm dhe të ndjej aromat e jetës sërish
-shkroi ai. Aktori shtoi se për shkak të copëzave të vendosura në hundë, aktualisht e ka të vështirë të flasë, ndaj fansat që kanë porositur video përshëndetje përmes platformës Cameo duhet të tregojnë mirëkuptim.
Yanevski, i cili e ka interpretuar Viktor Krum në “Harry Potter and the Goblet of Fire” dhe në një paraqitje të shkurtër në “Deathly Hallows: Part 1”, ka pasur një prani më të kufizuar në ekran vitet e fundit, me rolin e fundit në filmin aksion “Last Man Down” në vitin 2021.