Prodhimi i serialit ‘Harry Potter’ të HBO do të fillojë në Warner Bros Studios në Leavesden, në veriperëndim të Londrës, në verën e vitit 2025. Seriali i ‘Harry Potter’ do të ketë një kast krejtësisht të ri, por do të mbetet autentik me librat origjinalë, duke i afruar aventurat magjike me një audiencë të re. Leavesden ndodhet në Watford, në veri të Londrës, dhe filmi hit ‘Barbie’ 2023 është xhiruar në studiot atje. Warner Bros është kompania e prodhimit që qëndron pas filmave origjinalë, me protagonistë Daniel Radcliffe, Emma Watson dhe Rupert Grint.
Në studiot Leavesden në Hertfordshire të Anglisë, pritet të ndërtohet një “mini-qytet” i tërë dedikuar ekskluzivisht për serialin televiziv të ardhshëm të bazuar në librat e famshëm të J.K. Rowling. Kompleksi do të përfshijë një version të ri të rrugës ikonike “Privet Drive”, ambiente të reja të xhirimeve, rrugë, shkolla për aktorët e rinj, një qendër mjekësore dhe hapësira të posaçme për kujdesin ndaj kafshëve që do të përfshihen në serial. Kastit do t’i bashkohen emra të rinj në rolet e personazheve të njohur si Profesor Dumbledore – John Lithgow; Profesor McGonagall – Janet McTeer; Profesor Snape – Paapa Essiedu; Hagrid – Nick Frost; Profesor Quirrell – Luke Thallon; Filch – Paul Whitehouse.

Ky projekt ambicioz pritet të sjellë një përjetim të ri dhe më të thelluar të botës magjike të “Harry Potter”, duke i dhënë gjeneratave të reja mundësinë ta përjetojnë historinë nga një këndvështrim i freskët. Rikujtojmë se botimi i parë i romanit “Harry Potter” i shkruar nga autorja britanike J. K. Rowling – është shitur 18,000 paund (22,329 dollarë) pasi doli në ankand.
Ky botim i “Harry Potter And The Philosopher’s Stone”, i cili ishte një nga 500 kopjet e para të shtypura në 1997, u shit dje në ankandin “NLB Auctions” me qendër në Paignton, Devon. Romani, i cili parashikohej të arrinte vlerën midis 20,000-30,000 paund, u shit për 18,000 paund. Libri u cilësua si një shembull i mirë i një botimi të parë jashtëzakonisht te rrallë.