Aktorja e njohur, Jane Fonda ka deklaruar me humor se Barbra Streisand nuk ishte zgjedhja më e përshtatshme për të bërë homazhin ndaj Robert Redford në ceremoninë e Academy Awards. Aktorja 88-vjeçare, duke folur gjatë një feste pas Oscars, bëri shaka duke thënë: “Dua të di pse ishte Streisand ajo që foli për Redfordin? Ajo ka bërë vetëm një film me të, ndërsa unë kam bërë katër! Kam më shumë për të thënë.”
Gjatë segmentit “In Memoriam” në ceremoninë e 98-të të Oscars, Streisand u ngjit në skenë për të nderuar Redfordin, e cila ndërroi jetë më 16 shtator 2025 në moshën 89-vjeçare. Megjithatë, Fonda theksoi me batutë se lidhja e saj profesionale me aktorin legjendar ishte më e gjatë, pasi ajo kishte luajtur me të në katër filma; The Tall Story (1960), The Chase (1966), Barefoot in the Park (1967) dhe Our Souls at Night (2017).
Pavarësisht shakave, Fonda nuk kurseu fjalët e bukura për Redfordin, duke e quajtur “një nga njerëzit më të bukur” dhe duke pranuar se “ka qenë gjithmonë e dashuruar me të”. Ajo vlerësoi gjithashtu ndikimin e tij në kinematografi, duke thënë se ai “ndryshoi filmat dhe ngriti në një nivel më të lartë kinemanë e pavarur”.