Stefon Diggs, ylli i New England Patriots dhe partneri i reperes Cardi B, është përfshirë në një skandal serioz ligjor pas akuzave për dhunë fizike ndaj kuzhinieres së tij personale.
Sipas një raporti policor që pretendohet se është siguruar nga New York Post, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 2 dhjetor në banesën luksoze të Diggs në Dedham, Massachusetts, një pronë me vlerë rreth 2.5 milionë dollarë.
Kuzhinierja ka deklaruar se pas një debati për pagesën e saj, lojtari 32-vjeçar e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur dhe duke i shkaktuar vështirësi në frymëmarrje.
Në raport përmenden edhe mesazhe të pretenduara mes palëve, ku Diggs thuhet se ka refuzuar ta paguajë, duke argumentuar se nuk ndihej i detyruar ta bënte këtë. Gruaja ka pohuar se gjatë përplasjes është ndier e frikësuar dhe se në një moment ka menduar se mund të humbiste ndjenjat, përpara se Diggs të largohej nga dhoma.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit ligjorë të futbollistit i kanë mohuar kategorikisht akuzat. Avokati i tij, David Meier, ka deklaruar se Diggs i hedh poshtë të gjitha pretendimet, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të motivuara nga një konflikt financiar.
Akuzat nuk janë hetuar sepse nuk kanë ndodhur. Koha dhe motivi i tyre lidhen drejtpërdrejt me mosmarrëveshjen për pagesën
-është shprehur Meier.
Çështja mbetet ende në zhvillim, ndërsa vëmendja mediatike rreth yllit të NFL-së dhe jetës së tij personale po rritet nga dita në ditë.