Gossip

Alarm në Pallatin Kensington! Një burrë depërton dy herë në rezidencën e Princit William dhe Kate Middleton?

Një incident shqetësues ka tronditur sigurinë e Pallatit Kensington, pasi një burrë është arrestuar për hyrje të paautorizuar në territorin e rezidencës së Princit William dhe Princeshës Kate Middleton.

Ngjarja ka ndodhur gjatë festave të Krishtlindjeve, në një periudhë kur çifti mbretëror nuk ndodhej në pallat, raportojnë mediat britanike.

Policia bëri të ditur se i dyshuari, Derek Egan, ka hyrë ilegalisht në ambientet e pallatit në dy data të ndryshme, më 21 dhe 23 dhjetor. Ai u pikas nga Njësia Mbretërore e Mbrojtjes në bashkëpunim me Policinë Metropolitane gjatë patrullimeve rutinë dhe u ndalua menjëherë.

Sipas autoriteteve, në momentin e arrestimit Egan mbante një çantë shpine të rëndë, çka ngriti dyshime serioze për rrezikun e mundshëm ndaj sigurisë.

Pas ndalimit, ai u akuzua zyrtarisht për shkelje të një territori të mbrojtur. Situata u komplikua edhe më tej gjatë procesit gjyqësor, pasi i dyshuari shkaktoi trazira në sallën e gjyqit dhe refuzoi të merrte pjesë në një seancë dëgjimore të mëparshme. Për këtë arsye, gjykatësi vendosi që procedurat të vijonin në mungesë të tij.

Gjykata refuzoi gjithashtu lirimin me kusht, duke theksuar se ekziston rreziku real i një dënimi me burg në rast se shpallet fajtor. Rasti ka rihapur debatin mbi sigurinë në rezidencat mbretërore dhe nevojën për masa edhe më të rrepta mbrojtjeje.

Autoritetet britanike kanë siguruar se kontrollet e sigurisë janë forcuar dhe se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për Pallatin Kensington apo familjen mbretërore.