Një studim i ri ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e produkteve sintetike për flokët, duke zbuluar se shumë “extensions” dhe fibra për gërsheta përmbajnë kimikate potencialisht të rrezikshme për shëndetin.
Hulumtimi, i publikuar nga Silent Spring Institute, analizoi 43 produkte të blera online dhe në dyqane kozmetike, ku u identifikuan 169 kimikate të ndryshme.
Sipas rezultateve, 41 prej tyre përmbanin substanca të lidhura me kancerin, çrregullimet hormonale dhe problemet riprodhuese.
Studimi zbuloi gjithashtu praninë e pesticideve, substancave rezistente ndaj flakës dhe stabilizuesve plastikë, ndërsa 12 përbërës ishin të listuar në Proposition 65, ligji amerikan që paralajmëron për kimikate që mund të shkaktojnë kancer ose defekte në lindje.
Po ashtu, 17 substanca u lidhën me rrezikun e kancerit të gjirit, ndërsa disa mostra përmbanin komponime organotin, të njohura për ndikimin negativ në shëndet.
Sipas studiueses kryesore Elissia Franklin, komponimet organotin janë veçanërisht shqetësuese pasi përdoren zakonisht si stabilizues në PVC dhe mund të kenë pasoja serioze për organizmin dhe mjedisin.
Ndër kimikatet më problematike të identifikuara ishin benzyl chloride dhe benzene, të njohura si kancerogjene, si dhe plumbi dhe disa përbërës plastikë që lidhen me dëmtime të sistemit nervor dhe hormonal. Vetëm dy produkte, nga markat Spetra dhe Latched & Hooked, rezultuan pa substanca toksike dhe ishin të etiketuara si “non-toxic”.
Ekspertët paralajmërojnë se këto kimikate mund të përthithen përmes skalpit, të thithen gjatë stilimit me nxehtësi ose të depërtojnë përmes duarve, duke rritur rrezikun sidomos për stilistet e flokëve.
Sipas NAACP Center for Health Equity dhe mjekes Chris Pernell, ekspozimi i vazhdueshëm mund të rrisë ndjeshëm rreziqet për shëndetin, megjithëse nevojiten studime të tjera për të konfirmuar lidhjen direkte me sëmundjet.