Teksa rriteni mund të filloni të vini re disa fije të bardha që mbijnë aty-këtu. Edhe pse këputja e tyre mund ta zgjidhë problemin përkohësisht, a mundet që ky veprim të dëmtojë skalpin tuaj dhe më keq akoma që aty të rriten edhe më shumë fije të tilla?
Përse flokët thinjen?
Kjo ndodh kur gjëndrat e flokëve pësojnë një rënie të qelizave që prodhojnë melaninë. Këto janë qelizat që i japin flokëve dhe lëkurës pigmentin e saj. Shfaqja e thinjave është një pjesë krejtësisht normale e plakjes, megjithatë mosha kur ato fillojnë të shfaqen varet kryesisht nga gjenetika.
Megjithatë, ju mund të mos jeni të lumtur për këtë. Pra, cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë nëse thjesht i shkulni këto fije?
Do të rriten përsëri me të njëjtën ngjyrë
Shkëputja e një floku të thinjur do ta largojë atë përkohësisht, por fija do të rritet përsëri në po atë ngjyrë.
“Kur një gjëndër specifike e flokëve humbet qelizat që prodhojnë pigment, ai folikul i flokëve do të rigjenerojë vetëm fije gri”, shpjegojnë ekspertët.
Sa i përket besimit të vjetër se shkulja e fijeve gri do të bëjë që të rriten edhe më shumë fije të tilla, duhet thënë se është thjesht një mit. Kjo pasi çdo folikul ka gjenetikën e vet.
Shkëputja e tyre nuk është një ide e mirë, veçanërisht nëse kthehet në një zakon. Shkulja e përsëritur e qimeve mund të dëmtojë folikulën, gjë që mund të çojë në një infeksion. Me kalimin e kohës, kjo madje mund ta dëmtojë aq shumë gjëndrën e flokëve deri në pikën sa fija e flokut të ndalojë së rrituri dhe ju mund të përfundoni me një zonë pa flokë.