Rajoni

Albin Kurti: Puna e policëve të Kosovës prishi rehatinë e bandave kriminale në veri!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se zyrtarë të policisë janë bërë shënjestër e “sulmeve të njëpasnjëshme” në veri të vendit, që sipas tij ka qenë “zonë e rehatisë për bandat kriminale të drejtuara nga Beogradi”. Gjatë ceremonisë së diplomimit të efektivëve të Policisë së Kosovës, Kurti u shpreh:

Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar policor edhe në atë zonë ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë, nga të cilët 25 zyrtarë janë lënduar lehtë, një është plagosur dhe një ndodhet aktualisht në trajtim mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e kriminelit famëkeq Llune.

Millun Milenkoviç, i njohur si Llune, u arrestua më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut, në një aksion të forcave speciale. Ai dyshohet për përfshirje në sulmin ndaj objektit të Komisionit Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, si dhe për pjesëmarrje në përplasjet mes protestuesve e pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj në Zveçan.

Kurti nuk qartësoi se gjatë cilës periudhë kohore janë lënduar 27 policët e përmendur, por më parë gjatë fjalimit, përmendi dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së tij. Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se sulmet ndaj zytarëve të Policisë së Kosovës janë intensifikuar dhe shtoi se ata po përballen me “banda kriminale” në veri të vendit.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit për shkak të zgjedhjes së shqiptarëve në krye të komunave.

Katër ditë më parë, BE-ja dhe Kosova konfirmuan se kanë arritur një marrëveshje për shtensionimin e situatës e një ditë më vonë u prezantuan hapat konkretë: tërheqja e 25% të policisë nga ndërtesat komunale në veri, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme vendore pas verës dhe rikthimi në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

Në cermoninë e diplomimit mori pjesë dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sot, të gjithë së bashku, të shprehim edhe një herë falënderimin dhe krenarinë tonë të pashoq me policët e policet tona që po shërbejnë në veriun e vendit tonë për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës.

Osmani bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë Ndërkombëtare Policore (Interpol) dhe Agjencinë Europiane të Policisë (Europol).