Rajoni

Albulena Haxhiu po refuzohet, seanca e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Vazhdimi i 21-të i mbledhjes konstituive të legjislaturës së nëntë mbahet sot në orën 11:00 dhe nuk pritet ndonjë mrekulli që do të çojë te konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Parlamenti ndodhet në ngërç politik për shkak se e propozuara e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu nuk po pranohet për kryetare të Kuvendit.

Pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jo me numrat e duhur, koalicioni i përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, Alternativa e Guxo po këmbëngulin në zgjedhjen e ish-ministres së Drejtësisë në krye të Kuvendit, por deri tani pa sukses. Në plot 20 tentativat e kaluara ka dështuar të sigurojë votat, siç është bërë e ditur tashmë.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA po kërkojnë ndryshimin e emrit për numrin një të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e mbi tre muajve më parë. Më 15 prill, deputetët u betuan, por parlamenti mbetet i pa konstituuar, në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

Shefja e diplomacisë europiane Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Kosovë, iu bëri thirrje liderëve politikë të arrijnë zgjidhje për të dalë nga ngërçi i krijuar politik, që vendi të mund të ecë përpara.