Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, e cila ndodhet në Ballkanin Perëndimor për vizita zyrtare në Serbi, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, tha se do të bisedojë me qeveritë dhe me shoqërinë civile për “rrugën e tyre drejt BE-së”.
Sipas zyrtares së lartë, dialogu mes Beogradit e Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve është domosdoshmëri për të lëvizur përpara në atë drejtim. Tani është koha për riangazhim, shkroi Kallas në llogarinë e saj, në platformën X.
Kryediplomatja e BE-së qëndron në Kosovë sot dhe nesër, në kuadër të turit rajonal të nisur dje, me vizitë në Serbi. Në Beograd, takoi presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili tha se vendi i tij “mbetet partner i besueshëm për të gjithë ata që sinqerisht duan bashkëpunim, përparim e një të ardhme të përbashkët europiane”.
Në një postim në llogarinë e tij, në rrjetin social Instagram, Vuçiç pohoi se me Kallasin ka biseduar për çështje kyç gjeopolitike, për situatën e sigurisë në rajon, për rrugën europiane të Serbisë e për dialogun me Kosovën.
Kallasit i theksova se Serbia është e vendosur për dialog konstruktiv me ndërmjetësimin e BE-së, si mënyrë për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe se mbrojtja e serbëve në Kosovë është prioriteti ynë absolut.
Vuçiç u shpreh se i ka kujtuar kryediplomates së BE-së se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm detyrim për të cilin jemi dakordësuar, por edhe një parakusht për përparim të mëtejshëm në dialog e çdo normalizim marrëdhëniesh”.
BE-ja njoftoi se Kallas do ta takojë në Beograd edhe kryeministrin Gjuro Macut, si dhe ministrin e Jashtëm, Marko Gjuriç, atë për Integrime Europiane, Nemanja Staroviç, si dhe kryetaren e Kuvendit, Ana Bërnabiç e grupet parlamentare opozitare, para se atje të mbajë sot një konferencë për media. Më pas do të udhëtojë drejt Prishtinës.
Në Kosovë, Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile.
Para takimit me ta, shefja e diplomacisë europiane ka planifikuar të mbajë një konferencë për media, në Prishtinë, pasditen e sotme. Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut me Serbinë, të cilin BE-ja e ndërmjetëson.