Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Po të fitonim një lek për çdo herë që dikush ka thënë “Eh, sikur makinat të fluturonin”, do kishim blerë një nga këto! Alef Aeronautics ka prezantuar Model Zero, makinën elektrike që jo vetëm ecën në rrugë, por kur i teket… edhe fluturon! Po, më në fund s’ka më ngecje në trafik, dhe s’ka më justifikime për vonesa. Tani mund të kalosh mbi të gjithë, si një boss i vërtetë. Por prit, se ka më shumë! Në rrugë mezi i menaxhojmë shoferët që ndalojnë ku t’iu teket, tani imagjino t’i kemi edhe në ajër! Një makinë para teje, një mbi ty, një poshtë teje, një që të vjen diagonalisht edhe tjetri që është bërë rraketë – një kaos total! Dhe të mos flasim për ata që harrojnë të ndezin sinjalin kur kthehen majtas (zakonisht ato që kanë BMW) … po sikur të harrojnë ta vënë në AJËR? BAM, përplasje mbi pallate! Dhe pastaj, komshiu që të nevrikosej ngaqë e parkoje makinën para pallatit … tani mund t’ia parkosh direkt mu në ballkonin e tij! Alef thotë se Model Zero do të dalë në prodhim në 2025-2026, por kjo ngre pyetjen: A jemi gati për një trafik tridimensional? Apo thjesht do ta bëjmë rrëmujë edhe qiellin, njësoj siç kemi bërë rrugët? Vetëm koha do ta tregojë…