Health & Beauty Lifestyle

“Alergjia e mishit” që mund të shfaqet muaj pas pickimit të rriqrës, ekspertët paralajmërojnë për sindromën e rrallë!

Një pickim i zakonshëm nga rriqra mund të ketë pasoja të pazakonta dhe potencialisht të rrezikshme për jetën. Ekspertët paralajmërojnë se disa njerëz mund të zhvillojnë sindromën alfa-gal, një alergji ndaj mishit të kuq që mund të shfaqet javë apo edhe muaj pas pickimit.

Ndryshe nga sëmundjet e njohura që transmetohen nga rriqrat, si sëmundja Lyme apo encefaliti, kjo gjendje nuk shkaktohet nga baktere apo viruse. Ajo lidhet me një molekulë sheqeri të quajtur alfa-gal, e cila gjendet në mishin e gjitarëve si viçi, derri dhe qengji, si edhe në pështymën e disa llojeve të rriqrave.

Sipas studiuesve, kur rriqra pickon njeriun, ajo mund ta fusë këtë molekulë në qarkullimin e gjakut, duke nxitur sistemin imunitar të prodhojë antitrupa. Më pas, konsumimi i mishit të kuq mund të shkaktojë reaksion alergjik.

Lëkura është një mënyrë shumë e fuqishme për të nxitur një reaksion alergjik. Nëse alfa-gal do të merrej vetëm përmes ushqimit, shumica e njerëzve nuk do të bëheshin alergjikë

-ka shpjeguar dr. Scott Commins, studiues i sindromës alfa-gal në Universitetin e Karolinës së Veriut.

Një nga veçoritë më të pazakonta të kësaj alergjie është se simptomat nuk shfaqen menjëherë. Reaksioni mund të ndodhë tri deri në gjashtë orë pas konsumimit të mishit, gjë që e bën të vështirë identifikimin e shkakut.

Ekspertët thonë se pacientët shpesh konsumojnë mish në mbrëmje dhe zgjohen gjatë natës me simptoma të forta, pa e lidhur menjëherë gjendjen me ushqimin e konsumuar disa orë më parë.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë:

-skuqje dhe puçrra në lëkurë;

-kruarje intensive;

-fryrje dhe probleme me tretjen;

-dhimbje stomaku;

-të përziera;

-vështirësi në frymëmarrje.

Në rastet më të rënda mund të shfaqet anafilaksia, një reaksion i rëndë alergjik që kërkon ndërhyrje urgjente mjekësore.

Ekspertët theksojnë se sindroma alfa-gal nuk ndikon te konsumimi i mishit të pulës, gjelit të detit, peshkut, frutave të detit apo vezëve.

Diagnoza vendoset përmes analizave të gjakut që matin antitrupat IgE kundër alfa-gal, por mjekët theksojnë se rezultatet laboratorike duhet të vlerësohen së bashku me simptomat klinike.

Sipas studimeve, te një pjesë e pacientëve alergjia mund të dobësohet me kalimin e kohës, veçanërisht nëse shmangen pickimet e reja nga rriqrat.

Specialistët këshillojnë përdorimin e veshjeve mbrojtëse gjatë qëndrimit në natyrë, kontrollin e trupit pas ekspozimit në zona me bar të lartë dhe largimin e menjëhershëm të rriqrave për të ulur rrezikun e komplikimeve të tilla.