Gjatë muajve të verës dhe temperaturave të larta, organizmi ka nevojë për më shumë hidratim se zakonisht. Përveç ujit, një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit të lëngjeve luajnë edhe disa ushqime të pasura me ujë, veçanërisht frutat dhe perimet.
Ekspertët theksojnë se hidratimi i mirë ndihmon në rregullimin e temperaturës së trupit, përmirëson funksionimin e organeve dhe ul ndjeshëm rrezikun e lodhjes dhe dehidratimit gjatë ditëve të nxehta.
Ushqimet më hidratuese të verës?
Ndër ushqimet që dallohen për përmbajtjen e lartë të ujit janë kastravecat dhe domatet, të cilat përmbajnë mbi 90% ujë. Ato janë një zgjedhje ideale për sallata të freskëta dhe vakte të lehta verore.
Po ashtu, shalqiri konsiderohet “mbreti i hidratimit”, falë përmbajtjes së lartë të ujit dhe efektit freskues që ofron në ditët e nxehta.
Luleshtrydhet, grejpfruti, pjepri, pjeshkët, boronicat, ananasi dhe mjedrat janë gjithashtu ndër frutat më të rekomanduara për sezonin e verës.
Shalqiri ndihmon në freskim të shpejtë të trupit, ndërsa luleshtrydhet dhe grejpfruti ofrojnë përfitime shtesë falë përmbajtjes së vitaminave dhe antioksidantëve.
Nga ana tjetër, pjepri dhe pjeshkët janë të lehta për t’u tretur dhe ndihmojnë në ruajtjen e energjisë gjatë ditës.
Edhe pse këto ushqime ndihmojnë në hidratim, ekspertët theksojnë se ato nuk mund të zëvendësojnë ujin. Ato duhet të shihen si një shtesë e shëndetshme në dietën e përditshme, që e bën më të lehtë përballimin e vapës dhe ruajtjen e mirëqenies gjatë verës.