Aktualitet

Ambasadori britanik Abbott takon Altin Dumanin: SPAK-u, më i besuari!

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott, u takua me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, duke rikonfirmuar angazhimin britanik për të mbështetur institucionin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, Abbott vlerësoi përpjekjet e Prokurorisë së Posaçme në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore, si dhe theksoi rëndësinë e rolit të saj në mbrojtjen e demokracisë shqiptare.

Diplomati britanik nënvizoi se gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK-u është bërë një nga institucionet më të besuara në vend, si dhe gëzon njohje ndërkombëtare. Sipas tij, Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere e fortë e SPAK-ut dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin në vitin 2025.

Në një reagim në rrjetet sociale të selisë diplomatike të Londrës, thuhet:

Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott u takua me Altin Dumanin, Kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rikonfirmoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur SPAK-un. Në prag të zgjedhjeve, mirëpresim përpjekjet e SPAK për të mbështetur demokracinë shqiptare përmes hetimit të krimeve zgjedhore. Gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK është bërë një nga institucionet më të besuara në Shqipëri dhe është njohur ndërkombëtarisht si i tillë. Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere krenare e SPAK dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e mëtejshëm në vitin 2025.