Në Prokurorinë e Posaçme sot në orën 10:00 mbahet ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani, te kryetari i ri Klodian Braho i zgjedhur me 7 vota të anëtarëve të KLP-së.
Për SPAK-un, ky cilësohet si një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kreu i SPAK-ut e ka mandatin 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK-ut.
Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007. Ka shërbyer si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, ndërsa për tre vite ushtroi funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Vlorës, ku njëkohësisht mbajti detyrën e zv.drejtuesit (2014–2015).
Në Prokurorinë e Vlorës spikati me dosjen ndaj ish-kryebashkiakut socialist, Shpëtim Gjika. Braho e hetoi dhe e çoi në gjyq për shpërdorim detyre e falsifikimin e dokumenteve në dhënien e lejeve të ndërtimit.
Në vitin 2015, kaloi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku hetoi ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla.
Si prokuror i SPAK-ut, Braho është marrë me çështje me ndikim të gjerë publik, si rasti i inceneratorit të Elbasanit, dosja “5D” apo “Toyota Auris”.
Klodian Braho është edhe pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në proces gjyqësor për “Shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit.