Rajoni

Ambasadori Hill: Sanksionet amerikane ndaj Vulinit nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija SHBA-Serbi!

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha sot se Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të kenë marrëdhënie me shefin e Agjencisë për Sigurinë dhe Informacion të Serbisë (BIA), Aleksander Vulin. Por, Hill shtoi se  sanksionet e vendosura ndaj tij si individ, nuk nënkuptojnë marrëdhënie më të këqija me Serbinë.

SHBA-të studiuan me kujdes Vulinin dhe aktivitetet e tij. Arritëm në përfundimin se nuk duam që ai të hyjë në Amerikë. Pra, sanksionet janë një mënyrë për të mbrojtur SHBA-të.

Më 11 korrik, Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit vendosi në listën e sanksioneve drejtorin e BIA-s, Vulin. Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara axhendat politike dhe interesat e tij personale, në kurriz të paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ambasadori Hill u shpreh se mendon që Serbia është në rrugën e duhur dhe se marrëdhëniet mes SHBA-ve e Serbisë janë të mira e po përmirësohen.

SHBA-të dëshirojnë të ndihmojnë Serbinë, teksa po tregon qartë se dëshiron të jetë pjesë e institucioneve perëndimore. Ne do ta ndihmojmë në masën që dëshiron vetë Beogradi.

Gjatë vizitës në punimet për restaurimin dhe rehabilitimin e një zone arkeologjike, punimet që po kryhen nga qeveria serbe dhe mbikëqyren nga Ambasada Amerikane, Hill shtoi se “Vulin nuk do të mund të marrë një vizë amerikane”.

Nënsekretari i Departamentit të Thesarit, Brian E. Nelson deklaroi se “vendimi e mban përgjegjës për aktet e supozuara korruptive e destabilizuese, që mundësonin dhe aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon”.

Departamenti i Thesarit nuk do të përmbahet nga shënjestrimi i aktorëve që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale, duke minuar autoritetet demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Partia e Vulinit, Lëvizja Socialiste, pjesë e koalicionit me Partinë Progresive Serbe në pushtet hodhi poshtë akuzat dhe kritikoi SHBA-të. Vetë Vulin nuk është shprehur publikisht.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ende nuk i është përgjigjur pyetjeve nëse do ta zëvendësojë Vulinin, por paralajmëroi hetim për akuzat e SHBA-ve. Para se të bëhej shef i BIA-s, Vulin ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, dhe si ministër i Brendshëm.