Gjatë një takimi me studentët në Kampin Rinor në Jalë, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, iu përgjigj pyetjeve lidhur me sulmet dhe kritikat e ditëve të fundit të drejtuara ndaj tij.
Duke folur para studentëve, Meidani tha se sulmet personale nuk e shqetësojnë, pasi sipas tij ato tregojnë më shumë për ata që i bëjnë sesa për personin ndaj të cilit drejtohen.
“Sulmet e disa individëve ndaj meje nuk më shqetësojnë. Flasin më shumë për ta sesa për mua. Kur mungon performanca, kur mungon udhëheqja me dinjitet dhe kur askush prej tyre nuk garanton dot standardet evropiane, akuza mbetet e vetmja gjuhë që dinë të flasin. Unë nuk do të ulem në atë nivel, as kam kohën e ditës t’ua jap”, deklaroi Meidani.
Ai theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë pranë të rinjve dhe të punojë për vlerat që, sipas tij, janë themelore për shoqërinë.
“Do të jem këtu, krah jush, përherë. Do të vazhdoj të mbaj lart Nenin 8 të Kushtetutës dhe vlerat themelore që ai sanksionon, të mbroj edukimin dhe boshtin familjar dhe të punoj pa lëkundje për rrugën evropiane. Këto angazhime nuk i tund asnjë sulm; ato maten me punë, me standard dhe me përgjegjësi ndaj qytetarëve”, u shpreh ambasadori.
Në fund të fjalës së tij, Meidani recitoi poezinë e njohur “No Enemies?” të autorit Charles Mackay, duke veçuar vargjet që përcjellin mesazhin se kush angazhohet për detyrën, drejtësinë dhe ndryshimin, në mënyrë të pashmangshme krijon edhe kundërshtarë.
Charles Mackay
“Pa armiq?”
“Nuk ke armiq?”, thua ti?
Ah, miku im, mburrje e varfër është kjo.
Ai që ka hyrë në betejën e detyrës,
Atë betejë që vetëm trimat e përballojnë,
Patjetër ka krijuar edhe armiq.
Nëse nuk ke asnjë,
Atëherë e vogël ka qenë vepra jote.
Nuk ke goditur asnjë tradhtar,
Nuk ke rrëzuar kupën nga buzët e një të pabesi,
Nuk e ke kthyer kurrë të gabuarën në të drejtë,
Ke qenë frikacak në betejë.
Fjalimi i ambasadorit vjen pas polemikave dhe reagimeve publike që janë zhvilluar ditët e fundit në rrjetet sociale dhe në skenën politike.