Bota

Amerika ndërmjetësoi armëpushimin me Izraelin, Siria dislokon trupa në Suveida!

Forcat siriane nisën dislokimin në Suveida, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara që synon të shmangë ndërhyrjen e mëtejshme të ushtrisë izraelite në provincën e banuar me shumicë druze.

Më herët gjatë javës, Izraeli bombardoi forcat siriane si në Suveida, ashtu edhe në Damask, që t’i detyrojë të tërhiqen, pasi i ka akuzuar për ekzekutime dhe abuzime ndaj civilëve druzë.

Nga java e kaluar, më shumë se 700 persona janë vrarë në Suveida në përplasjet sektare mes druzëve e beduinëve sunitë e që përfshinë edhe qeverinë islamike në pushtet, Izraelin e fise të armatosura nga të tjera zona të Sirisë. Zyra e presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, shpalli një “armëpushim të menjëhershëm” në Suveida, duke u bërë thirrje “të gjitha palëve që ta respektojnë plotësisht”.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me seli në Britaninë e Madhe, tha se “vullnetarë të armatosur janë dislokuar nga qeveria për të mbështetur”. Luftëtarët druzë thanë se vullnetarët janë kryesisht islamikë.

Akordi mes qeverisë islamike të Sirisë dhe Izraelit u bë publik sot nga Uashingtoni. I dërguari amerikan për Sirinë, Tom Barrack, tha se al-Sharaa e kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, “ranë dakord për një armëpushim” të negociuar nga SHBA-të.

Barrack, ambasador amerikan në Ankara, vuri në dukje se marrëveshja mbështetet nga Turqia dhe Jordania. Palëve iu bëri thirrje të ndalin luftimet e të punojnë drejt paqes. Administrata amerikane ka mbajtur anën e Turqisë e të Arabisë Saudite në krijimin e lidhjeve me presidentin islamik, pavarësisht lidhjeve të tij të vjetra me Al-Kaedan. Uashingtoni zyrtar kritikoi sulmet ajrore të aleatit izraelit ndaj Sirisë.

Pas njoftimit amerikan, përmes një fjalimi televiziv, al-Sharaa u zotua se do të mbrojë pakicat etnike dhe fetare në Siri.

Shteti sirian është i përkushtuar për të mbrojtur të gjitha pakicat dhe komunitetet në vend… Ne i dënojmë të gjitha krimet e kryera në Suveida.

Presidenti i përkohshëm sirian shprehu mirënjohje për “rolin e rëndësishëm të luajtur nga Shtetet e Bashkuara, që edhe njëherë treguan mbështetjen për Sirinë në këto rrethana të vështira dhe shqetësimin e tyre për stabilitetin e vendit.

Gjithashtu, ai falënderoi Turqinë dhe vendet arabe për përkrahjen.