Bota

Amerika në kontakt direkt me grupin HTS në Siri!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në “kontakt direkt” me rebelët e grupit Tahrir al-Sham (HTS), që tani kontrollon Sirinë, pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad-it. Kjo u konfirmua nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Hera e parë që Uashingtoni pranon kontaktin me këtë grup, të cilin e konsideron “terrorist”. Blinken tha se lidhja u vendos për të kuptuar për fatin e gazetarit të zhdukur, Austin Tice.

Në Jordani, kryediplomati amerikan Blinken pati bisedime me përfaqësues të disa vendeve arabe, Turqisë dhe Europës, për të diskutuar të ardhmen e Sirisë. Zyrtarët ranë dakord të mbështesin një tranzicion paqësor pasi nuk duan të shohin kaos. U bë thirrje për një qeveri siriane gjithëpërfshirëse që respekton të drejtat e pakicave e nuk ofron bazë për “grupet terroriste”. Përfaqësues të HTS-së nuk ishin pjesë e takimit në Jordani.

HTS, grupi më i fuqishëm i rebelëve në Siri, ishte themeluar nën një emër tjetër, Jabhat al-Nusra, në vitin 2011 dhe ka qenë degë e Al-Kaedës. Grupi është konsideruar ndër më efektivët në luftën kundër regjimit të Assad-it. Përveçse nga Shtetet e Bashkuara, konsiderohet “terrorist” edhe nga Kombet e Bashkuara, Turqia e Bashkimi Europian.

Lideri i grupit, Ahmed al-Sharaa, që njihet edhe si Abu Mohammed al-Jolani, i ka shkëputur lidhjet me Al-Kaedën që në vitin 2016. Kohët e fundit, ai është zotuar për tolerancë ndaj komuniteteve, si dhe grupeve të tjera fetare. Megjithatë, e kaluara e dhunshme e grupit ka ngritur shumë pikëpyetje nëse do të mund t’i përmbushë premtimet.

Regjimi brutal i Assad-it u rrëzua pasi gati 14 vjetësh luftë civile, si pasojë e së cilës janë vrarë mbi 500 mijë njerëz, si dhe u zhvendosën miliona të tjerë. Assad-i dhe familja e tij janë në Rusi, pas azilit që iu miratuar me shpejtësi nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Berlini zyrtar paralajmëroi mbështetësit e regjimit të rrëzuar të liderit sirian, Bashar al-Assad, që të mos përpiqen të fshihen në Gjermani. Po ashtu, në shtetin gjerman është shumë aktual debati nëse rreth 1 milion refugjatët e strehuar atje duhet apo jo të kthehen në Siri. Drejtuesit e sindikatave shprehen kundër pasi lind problemi i humbjes së fuqisë punëtore, që i duhet vendit.