Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar valën e fundit të sulmeve ajrore ndaj Iranit, pasi goditën dhjetëra objektiva ushtarake, njoftoi Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM).
Në të njëjtën kohë, Irani vijoi kundërpërgjigjen duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake të lidhura me SHBA-të në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani, si reagim ndaj bombardimeve të reja amerikane në territorin iranian.
Përshkallëzimi i ri i konfliktit vjen pasi të dyja palët deklaruan se dështoi armëpushimi SHBA-Iran, i arritur në qershor.
Sipas raportimeve, tensionet u rikthyen pas mosmarrëveshjeve mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit, ku sulmet e vazhdueshme iraniane ndaj anijeve tregtare shkaktuan një valë të re goditjesh amerikane javën e kaluar.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se Irani ka zgjeruar kundërpërgjigjen ushtarake në rajonin e Gjirit, duke ndërmarrë një fushatë të gjerë me raketa dhe dronë kundër bazave ushtarake që i cilëson si “objektiva armike” në rajon.
Sipas mediave iraniane, një zyrtar ushtarak deklaroi se objektivat ishin përzgjedhur pas monitorimit të lëvizjeve të forcave kundërshtare gjatë 48 orëve të fundit.
Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) njoftuan se goditën Bazën Ajrore Prince Hassan në Jordani, duke pretenduar se sulmet shkaktuan shpërthime në depot e karburantit dhe të municioneve. Megjithatë, ushtria jordaneze tha se mbrojtja ajrore interceptoi dhe shkatërroi katër raketa iraniane sapo ato hynë në hapësirën ajrore të vendit.
Teherani deklaroi gjithashtu se kreu sulme me raketa ndaj Bazës Ajrore Sheikh Isa në Bahrein, në kuadër të fazës së dytë të fushatës hakmarrëse.
Sipas IRGC-së, u goditën objekte të mirëmbajtjes së helikopterëve, një hangar ku ndodhej një avion patrullimi P-8 dhe një qendër amerikane e komandimit dhe kontrollit të dronëve.
Në fazën e tretë të operacionit, IRGC pretendoi se kishte shënjestruar bazat ajrore Ali Al-Salem dhe Ahmed Al-Jaber në Kuvajt.
Ministria e Jashtme e Iranit paralajmëroi se çdo territor ose bazë ushtarake që përdoret nga Shtetet e Bashkuara apo aleatët e tyre për të kryer sulme ndaj Iranit do të konsiderohet objektiv legjitim për kundërpërgjigje, duke u bërë thirrje vendeve fqinje, të mos lejojnë përdorimin e territorit të tyre për operacione të tilla.