Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pranë prezantimit të një koalicioni për të shoqëruar anijet në Ngushticën e Hormuzit, siç raportuan Wall Street Journal dhe Axios, ndërsa Irani paralajmëroi se nuk dorëzohet.
Nisur nga kjo javë, administrata Trump planifikon të bëjë të ditur se shumë shtete janë pajtuar të formojnë një koalicion për të shoqëruar anijet në Ngushticën e Hormuzit.
Referuar raportimeve, kjo çështje po diskutohet dhe gjërat mund të lëvizin në varësi të luftës. Diskutime ka edhe mes pjesëmarrësve se kur mund të fillojë punën ky mision, gjatë luftimeve apo vetëm pas një armëpushimi.
Duke cituar burimet e veta, Axios raportoi më vonë se presidenti amerikan, Donald Trump shpreson ta bëjë të ditur këtë koalicion në javën në vazhdim dhe po shqyrton mundësinë e kapjes së ishullit strategjik iranian të Hargut, të cilin forcat ushtarake amerikane e bombarduan më 13 mars. Kjo në rast se trafiku vazhdon të mbetet i bllokuar në ngushticë.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan, Donald Trump shkroi se:
Shtetet e botës që pranojnë naftën përmes Ngushticës së Hormuzit duhet që të kujdesen për atë zonë dhe ne do të ndihmojmë SHUMË.
Në një intervistë të publikuar sot nga Financial Times, Trump vuri në dukje se forcat e NATO-s përballen me një “të ardhme shumë të keqe” nëse një vend anëtar nuk i ndihmon Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Iran.
Një ditë më parë, kryeministri britanik, Keir Starmer bisedoi me Trump-in në lidhje me rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, në mënyrë që të mos pengohen furnizimet globale, siç bëri të ditur zyra e kryeministrit britanik.
Starmer ka diskutuar për këtë çështje edhe me kryeministrin kanadez, Mark Carney, me të cilin diskutuan se si bllokada në ngushticë është duke prekur furnizimet globale. Ata janë zotuar që t’i vazhdojnë sot diskutimet.