Çmimet e naftës janë rritur sot në tregjet aziatike ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë të përshkallëzohen.
Nafta Brent u rrit me 1.9%, duke shkuar në 84.87 dollarë për fuçi, ndërsa ajo amerikane (WTI) me 2%, në 79.75 dollarë për fuçi.
Kjo rritje vijon nga dje, si pasojë e përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.
Në muajt e fundit, çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare me shumicë janë luhatur ndjeshëm, ndërsa investitorët dhe tregtarët kanë reaguar ndaj zhvillimeve të konfliktit.
Menjëherë pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, praktikisht Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë, përmes së cilës kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Megjithatë, pavarësisht rritjes së fundit, çmimet e naftës mbeten dukshëm më të ulëta se niveli prej 120 dollarësh për fuçi, i arritur nga nafta Brent në fund të muajit prill.