Aktualitet

Amerika uron Shqipërinë për 28 Nëntorin, Rubio vlerëson partneritetin!

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, uroi popullin shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar miqësinë dhe aleancën e fortë mes dy vendeve. Në deklaratën zyrtare të publikuar nga Departamenti i Shtetit, Rubio vlerëson partneritetin e qëndrueshëm SHBA-Shqipëri, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dëshiroj të uroj popullin e Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të përbashkët, dhe ne përshëndesim investimet e Shqipërisë në forcimin e sigurisë kolektive, theksohet në deklaratë.

Sekretari i Shtetit nënvizoi edhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, trafikut të drogës e grupeve transnacionale që sipas tij, paraqesin rrezik për të dy vendet. Ndër të tjera, zyrtari i lartë i Uashingtonit vlerësoi progresin e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike.

Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja të mëdha në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe përgëzojmë Shqipërinë për arritjet domethënëse në këtë drejtim.

Në mbyllje të urimit, Rubio rikonfirmoi angazhimin amerikan për marrëdhënie edhe më të forta në të ardhmen.

Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.