Kryeministri Edi Rama uron të gjithë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë, në kuadër të përvjetorit të 113-të.
MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë, shkruan Rama në rrjetin social Facebook ndërsa e shoqëron postimin me një foto nga Monumeti i Pavarësisë në Vlorë.

Presidenti i vendit, Bajram Begaj gjithashtu uroi qytetarët shqiptarë për Ditën e Pavarësisë.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë!
Shqiptarët, kudo ku ndodhen, sot festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i kryesuar nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për mbrojtjen e tërësisë tokësore dhe ngritjen e një shteti të pavarur shqiptar.
Në shpalljen e Pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. 28 nëntori i vitit 1912 u quajt si “Nëntori i dytë” pasi më 28 Nëntor 1443, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj.
Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke deklaruar në Vlorë: “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
28 Nëntori i vitit 1912 shënoi dhënien fund të sundimit gati pesëshekullor të Perandorisë Osmane dhe njëkohësisht krijoi kushte të reja politike për zhvillimin ekonomik, shoqëror e kulturor. Data 28 nëntor përsëritet në historinë e Shqipërisë edhe në raste të tjera si fillimi i transmetimeve të Radio Tirana më 28 nëntor 1938 dhe datëlindja e heroit legjendar, Adem Jashari më 28 nëntor 1955.
Ndërkohë, prej vitit 2017, 28 Nëntori është shpallur feste zyrtare edhe në Kosovë. Kryeministri i kohës, Ramush Haradinaj e shpalli ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës duke thënë se “kjo do të ishte Dita e Shqiptarëve, në respekt të vlerave të trungut etnik shqiptar si dhe traditave të mira familjare e shoqërore”.