Përfaqësues të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga Kina do të takohen në Londër të Britanisë së Madhe më 9 qershor për bisedime të mëtejshme tregtare, siç paralajmëroi presidenti amerikan, Donald Trump.
Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ai i Tregtisë, Howard Lutnick, si dhe nga Përfaqësuesi i Tregtisë, Jamieson Greer, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Trump kishte rënë dakord për raundin e ri të bisedimeve gjatë një telefonate të zhvilluar me homologun kinez, Xi Jinping para dy ditëve, edhe pse ora e vendi i saktë i takimit nuk ishin përcaktuar fillimisht. Më tej, ai bëri të ditur se diskutimet do të përqendrohen në detajet e një marrëveshjeje tregtare të arritur në muajin maj midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Pas telefonatës ndërmjet dy udhëheqësve, Kina u shpreh më me kujdes, duke i kërkuar SHBA-ve që t’i përmbahet marrëveshjeve reciproke të akordit. Pekini deklaroi se pala kineze e ka zbatuar me seriozitet. Që nga marrja e detyrës, me rikthimin në krye të Amerikës, nëntorin e kaluar, Donald Trump ka ndjekur një politikë mjaft të ashpër tregtare ndaj vendit aziatik.
Në një moment, shefi i Shtëpisë së Bardhë rriti tarifat për importet nga Kina në Shtetet e Bashkuara, SHBA, në disa hapa deri në një shifër marramendëse prej 145%, duke bërë që Pekini zyrtar të reagonte me kundërtarifa të forta.
Në mesin e muajit të kaluar, të dyja palët ranë dakord gjatë një takimi të mbajtur në Zvicër për të ndaluar përshkallëzimin dhe për të ulur përkohësisht tarifat. Në postimin e tij në Truth Social, presidenti Trump nuk dha detaje specifike rreth kohës e vendndodhjes së saktë të negociatave të pas dy ditëve në kryeqytetin britanik Londër, por ai vuri në dukje se bisedimet do të jenë të disponueshme.