Kryeministri Edi Rama ka mbledhur Grupin Parlamentar Socialist në Pallatin e Brigadave, në një takim që shënon mbledhjen e parë për vitin 2026. Takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pritet të zgjasë deri rreth orës 15:00.
Në fokus është një analizë e detajuar e të gjithë sektorëve, sipas ndarjes së përcaktuar më herët nga kryeministri.
Aktualisht në Partinë Socialiste funksionojnë 13 komisione, drejtuesit e të cilëve raportojnë për fushat që mbulojnë, duke pasur në dispozicion nga 10 minuta secili, krahas fjalimeve të Ramës, kryeparlamentarit Niko Peleshi e kryetarit të grupit, Taulant Balla.
Kjo mbledhje synon të riorganizojë punën e brendshme të grupit socialist dhe të vendosë prioritetet, jo vetëm në lidhje me objektivat e qeverisë për vitin 2026, por edhe për jetën parlamentare.
Ndërkohë, ditën e nesërme Rama do të ketë një takim me drejtues socialistë të bashkive, që do të mblidhen në Durrës.