Ankthi tek fëmijët shpesh nuk shfaqet si tek të rriturit, por përmes sjelljes dhe shqetësimeve fizike. Ekspertët paralajmërojnë se dhimbjet e papritura të kokës, dhimbjet e barkut, të përzierat, ndryshimet e humorit dhe problemet me gjumin mund të jenë sinjale të ankthit, edhe kur fëmija nuk di ta shprehë me fjalë.
Shpesh, fëmijët shqetësohen për gjëra që duken të vogla për të rriturit – vonesat në shkollë, ndarjet nga prindërit, testet apo madje edhe moti i keq.
Ata mund të shmangin aktivitetet që më parë i pëlqenin, të bëhen më të heshtur ose të kërkojnë vazhdimisht siguri nga prindërit me pyetje si: “A do të jetë gjithçka në rregull?” ose “A do të vish të më marrësh?”.
Ndryshimet në oreks dhe problemet e gjumit, si zgjimet e shpeshta apo ëndrrat e këqija, janë gjithashtu të zakonshme. Disa fëmijë mund të zhvillojnë nevojë për kontroll të rreptë të rutinës, ndërsa të tjerë tërhiqen emocionalisht.
Psikologët theksojnë se prindërit nuk duhet t’i injorojnë këto shenja dhe as t’i konsiderojnë si “përkëdhelje” apo “fazë kalimtare”.
Në vend të kritikës, nevojiten mirëkuptim, durim dhe mbështetje emocionale.
Sipas specialistëve, ndihma mund të vijë nga:
-Biseda të hapura dhe të përshtatura sipas moshës
-Inkurajimi për të përballuar situatat që shkaktojnë ankth, pa detyrim
-Krijimi i rutinave të qëndrueshme dhe të parashikueshme
-Kufizimi i ekspozimit ndaj informacionit stresues
-Konsultimi me psikologun e shkollës ose një terapist për fëmijë, nëse simptomat vazhdojnë
Ekspertët theksojnë se fëmija duhet ta dijë që nuk është vetëm dhe se ankthi është i menaxhueshëm, veçanërisht kur ka përkrahjen e familjes.