Shumë gra që vuajnë nga depresioni apo ankthi përballen me një dilemë të vështirë kur mbeten shtatzënë: a duhet të vazhdojnë apo të ndalojnë marrjen e barnave? Ekspertët paralajmërojnë se ndërprerja e menjëhershme e antidepresivëve mund të ketë pasoja serioze për nënën dhe foshnjën.
Sipas udhëzimeve të “American College of Obstetricians and Gynecologists (ACOG)”dhe “American Psychiatric Association (APA)”, ndalimi i papritur i terapisë rrit rrezikun e përkeqësimit të depresionit, ankthit akut dhe madje edhe të mendimeve vetëvrasëse.
Këto gjendje jo vetëm që dëmtojnë nënën, por përbëjnë rrezik edhe për zhvillimin e fetusit.
-Antidepresivët më të përdorur, si SSRI (fluoksetina, sertralina, citalopram) dhe SNRI (venlafaksina, duloksetina), nuk ndalohen kategorikisht gjatë shtatzënisë, por përdorimi i tyre duhet të vlerësohet rast pas rasti.
-Qetësuesit nga grupi i benzodiazepinave (si Xanax, Valium) duhen përdorur me kujdes. Studimet kanë treguar rrezik të lehtë për çarje të buzës ose qiellzës në tremujorin e parë dhe simptoma të tërheqjes te foshnjat kur përdoren në tremujorin e tretë.
Çfarë rekomandojnë mjekët?
-Ndërprerja e antidepresivëve duhet të bëhet gradualisht, për të shmangur simptomat e tërheqjes dhe rikthimin e depresionit.
-Në rastet kur trajtimi është i domosdoshëm, rekomandohet përdorimi i dozës më të ulët efektive, duke zgjedhur medikamente më të studiuara si sertralina dhe fluoksetina.
-Psikoterapia mund të konsiderohet si një alternativë ose shtesë ndaj trajtimit me barna.
Ekspertët theksojnë se çdo vendim duhet të merret në konsultim me gjinekologun dhe psikiatrin, duke balancuar kujdesin për shëndetin mendor të nënës dhe mbrojtjen e foshnjës.