Në Gjykatën e Posaçme u shty për më 11 maj seanca e parë e gjyqit në themel ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi, si dhe tre të bashkëpandehurve të tjerë. I pranishëm, Meta qëndronte në kafazin e xhamtë, pas Kryemadhit.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, reagoi ashpër për vendosjen e ish-presidentit në pjesën e kafazit, duke e cilësuar “të papranueshme”. Po ashtu, kritikoi vendimin e gjykatës për moslejimin e transmetimit të seancës drejtpërdrejt, siç qe kërkuar nga mbrojtja.
Nuk e kuptoj dot gjykatën. Merr një vendim anktikushtetues dhe thotë që ne nuk do ta shfaqim publikisht këtë proces gjyqësor, kur vetë i pandehuri shfaq dëshirën. Presidenti i Republikës, mbyllur në një kafaz. Kjo është e papranueshme.
Është e papranueshme që ti të mbash të mbyllur në kafaz Presidentin e Republikës. Këto sjellje bënte vetëm ISIS-i në Siri. Nuk di rast tjetër. Në Kosovë përfundoi një proces gjyqësor me burgim të përjetshëm dhe ai individ u gjykua gjatë gjithë procesit duke qëndruar në krah të avokatit.
Si mundet një president republike të qëndrojë i mbyllur në një kafaz? Më gjeni një rast tjetër! E papranueshme!
Ndaj Metës e Kryemadhit, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për “Korrupsion”, “Pastrim parash” e “Fshehje apo mosdeklarim pasurie”.
Ilir Meta mbahet në paraburgim prej 21 tetorit 2024. Dosja e njohur si “Meta” përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror.