Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit lidhur me trajtimin e tij në paraburgim te 313 në Tiranë. Ai thotë se institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa të menjëhershme në përputhje me rekomandimet e KShH dhe Avokatit të Popullit.
Meta shkruan se raporti konstaton jo vetëm problematikat në trajtimin e tij “identik me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist”, por edhe të të paraburgosurve e të gardianëve në vend. Ai shprehet se paraburgimi s’mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor e politik dhe për të dhunuar procesin ligjor.
“Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për raportin profesional dhe të paanshëm, që konstaton shkeljet flagrante të të drejtave të mia themelore njerëzore dhe politike në paraburgim, i shndërruar nga Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj meje.
Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.
Paraburgimi vlen vetëm në funksion të hetimit në raste ekstreme, kur është i domosdoshëm dhe për një kohë të kufizuar, por kurrë nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie duke dhunuar procesin e rregullt ligjor dhe gjyqësor, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në proces.
Respektimi i Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor, i prezumimit të pafajësisë, i barazisë para ligjit dhe të palëve në proces, si dhe garantimi i transparencës para publikut nuk janë privilegje, por detyrime ligjore dhe standarde minimale të një shteti të së drejtës dhe demokratik.
Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve përgjithësuese të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria”, shkruan Meta.