Tech

Apple humbet udhëheqjen, ja kush ia merr ‘fronin’!

Sipas të dhënave të reja nga kompania Counterpoint Research, Huawei për herë të parë ka tejkaluar Apple në dërgesat globale të orëve të mençura. Raporti i Counterpoint për tremujorin e dytë të vitit 2025 tregon se dërgesat globale të orëve të mençura janë rritur me 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke i dhënë fund një rënieje që kishte zgjatur pesë tremujorë. Dërgesat e markës Huawei u rritën me 52 për qind gjatë këtij tremujori, kryesisht falë kërkesës së madhe në Kinë. Kompania fitoi vrull falë një game të gjerë orësh me çmime nga 100 deri në 400 dollarë, si dhe përmes integrimit më të fuqishëm brenda ekosistemit të saj të smartfonëve dhe pajisjeve IoT.

Më shumë se 75 për qind e dërgesave të tyre janë realizuar në Kinë, megjithatë edhe zgjerimi në tregjet EMEA (Evropa, Lindja e Mesme dhe Afrika) dhe në rajonin Azi-Paqësor kontribuoi në rritje. Dërgesat e Apple ranë me 3 për qind në tremujorin e dytë, çka përbën tremujorin e shtatë radhazi me rënie. Megjithatë, Apple vazhdon të mbajë kryesimin në segmentin premium të tregut falë monitorimit shumë preciz të funksioneve shëndetësore dhe një baze të qëndrueshme të përdoruesve të iOS-it.

Dërgesat e Xiaomi u rritën me 38 për qind falë modeleve të përballueshme, ndërsa prodhuesi i orëve të mençura për fëmijë imoo pati rritje prej 21 për qind dhe ruajti udhëheqjen në atë segment. Samsung shënoi një rënie prej 3 për qind, pasi Galaxy Watch 7 nuk arriti të ndjekë ritmin e rritjes që u pa te të tjerët. Ndërkaq, Apple ka publikuar një logo të re dhe misterioze për ngjarjen e prezantimit të iPhone 17, që do të mbahet më 9 shtator. Kur e tërhiqni gishtin ose kursorin e mausit mbi të, logoja ndryshon ngjyrë sikur të shihej përmes një kamere termike.

Ky detaj ka bërë që fansat të mendojnë se kompania po paralajmëron ngjyra të reja për modelet e reja të iPhone. Të tjerë sugjerojnë se bëhet fjalë për një sistem të përmirësuar ftohjeje, që do të rrisë efikasitetin dhe shpejtësinë e pajisjeve. Ngjarja e titulluar “Awe Dropping” ka lënë pas shumë pikëpyetje mbi surprizat që priten. Apple nuk ka zbuluar asnjë detaj zyrtar, duke e shtuar edhe më shumë kureshtjen për lançimin.