Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Epo, ndodhi ajo që askush s’e priste: Apple po përdor inteligjencën artificiale të Google për të ringjallur Siri-n. Po, e dëgjove saktë — dy rivalët më të mëdhenj në teknologji po bëjnë “team-up”, të paktën për pak kohë.
Sipas Bloomberg, Apple po finalizon një marrëveshje që i kushton rreth 1 miliard dollarë në vit për të përdorur modelin gjigant të Google, Gemini, me plot 1.2 trilion parametra — që do të thotë, një “tru” AI shumë më i madh se çdo gjë që Apple ka ndërtuar vetë deri tani. Qëllimi? Një version i ri i Siri-t që më në fund di të kuptojë kur i flet si njeri, jo si robot i lodhur.
Për momentin, Apple do ta përdorë Gemini si zgjidhje të përkohshme, derisa të përfundojë sistemin e vet.
Kujto që Siri ka mbetur pas për vite me radhë, ndërkohë që Alexa dhe Google Assistant kanë mësuar të bëjnë gjithçka, nga gatimi te planifikimi i udhëtimeve. Kështu që ky hap duket si një “wake-up call” i vonuar për Apple.
Dhe, për ironi, kjo nuk ka të bëjë me integrimin e Gemini si chatbot në Siri — është thjesht për t’i hedhur pak benzinë inteligjencës së saj.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, Siri më në fund mund të bëhet ndihmësi që Apple premtoi një dekadë më parë… dhe që ne po e presim ende.