Bota

Ari thyen rekord të ri historik/Pasiguria globale nxit rritjen e çmimeve!

Çmimet globale të arit edhe sot vijuan rritjen, duke shënuar një tjetër rekord historik në tregjet ndërkombëtare. Në orët e para të mëngjesit, ari iu afrua nivelit të 5 mijë e 600 dollarëve për ons, ndërsa u stabilizua rreth 5 mijë e 500 dollarë.

Vetëm gjatë kësaj jave, çmimi është rritur me mbi 10%, duke thyer për herë të parë pragun psikologjik të 5 mijë dollarëve. Rritja po nxitet nga orientimi i investitorëve drejt aseteve të sigurta, në kushtet e pasigurisë globale. Analistët vlerësojnë se ari po shihet gjithnjë e më shumë si një ruajtës i qëndrueshëm i vlerës.

Sipas tyre, borxhi i lartë qeveritar ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rreziqet gjeopolitike po ndryshojnë rolin tradicional të metalit të çmuar. Kërkesa është mbështetur edhe nga blerjet e bankave qendrore dhe dobësimi i dollarit amerikan.

Ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë luhatje afatshkurtra në çmime. Megjithatë, ata theksojnë se bazat e tregut mbeten të forta për vitet në vijim.

Në planin ndërkombëtar, tensionet janë shtuar pas përplasjeve të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Këto zhvillime kanë rritur më tej pasigurinë gjeopolitike.

Ndërkohë, Rezerva Federale amerikane la të pandryshuar normën bazë të interesit, duke mbajtur në vëmendje inflacionin ende mbi objektiv, një faktor më tepër që ndikon ne rritjen e çmimit të arit.