Celebrities Gossip Showbiz

Ariana Grande ngre padi kundër hakerëve? Iu vodhën dhjetëra këngë dhe materiale private?

Ariana Grande ka ndërmarrë veprime ligjore kundër personave ende të paidentifikuar, të cilët i akuzon për vjedhjen dhe shpërndarjen e paligjshme të materialeve të saj private, përfshirë këngë të papublikuara, video, fotografi dhe përmbajtje të tjera krijuese.

Këngëtarja 33-vjeçare ka paraqitur një padi në një gjykatë në Kaliforni, duke pretenduar se hakerët kanë depërtuar në pajisjet elektronike të bashkëpunëtorëve të saj dhe kanë siguruar qasje në materiale konfidenciale, të cilat më pas janë shitur në internet.

Sipas dokumenteve gjyqësore të bëra publike, objektiv i sulmeve kanë qenë llogaritë e producentëve muzikorë, fotografëve dhe profesionistëve të tjerë me të cilët Grande ka bashkëpunuar ndër vite.

Padia pretendon se materialet e vjedhura përfshinin përmbajtje që nuk ishte planifikuar kurrë të publikohej. Ekipi ligjor i artistes argumenton se personat përgjegjës kanë përfituar “shuma të konsiderueshme parash” duke shitur këto materiale në mënyrë të paligjshme.

Grande pohon gjithashtu se rreth 45 këngë të saj të papublikuara u publikuan pa leje gjatë vitit 2023, duke shtuar se rrjedhje të ngjashme të materialeve kanë ndodhur vazhdimisht që nga fillimi i karrierës së saj muzikore në vitin 2011.

Përmes procesit gjyqësor, avokatët e autores së hitit “Thank U, Next” synojnë të zbulojnë identitetin e personave që qëndrojnë pas sulmeve kibernetike. Për këtë arsye, ata kanë kërkuar të sigurojnë informacione nga kompani të teknologjisë dhe ofrues të shërbimeve të internetit, me shpresën për të identifikuar autorët e dyshuar.

Sipas një burimi pranë artistes, qëllimi i padisë nuk është vetëm mbrojtja e Ariana Grandes, por edhe dërgimi i një mesazhi të qartë kundër vjedhjes së pronës intelektuale dhe shkeljes së privatësisë së artistëve.

Rasti pritet të ndiqet me interes në industrinë e muzikës, pasi mund të krijojë një precedent të rëndësishëm në luftën kundër rrjedhjes së paautorizuar të materialeve artistike dhe sulmeve kibernetike ndaj figurave publike.