Aktorja Cynthia Erivo ka reaguar ndaj spekulimeve që kanë qarkulluar së fundmi për marrëdhënien e saj me Ariana Granden, duke sqaruar se raporti mes tyre vazhdon të jetë i ngushtë edhe pas përfundimit të xhirimeve të filmit “Wicked”.
Dyshja, e cila interpretoi rolet kryesore në adaptimin filmik të muzikalit të famshëm, krijoi një lidhje të fortë gjatë realizimit të projektit dhe tërhoqi vëmendje të madhe gjatë promovimit të filmit, me paraqitjet e tyre të shumta së bashku.
Megjithatë, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin aludime se miqësia mes tyre mund të ishte ftohur, duke nxitur diskutime mes fansave.
Erivo vendosi t’u përgjigjej këtyre zërave, duke theksuar se perceptimi i publikut nuk pasqyron gjithmonë realitetin.
Ajo u shpreh se njerëzit që nuk e njohin personalisht krijojnë shpesh versione të ndryshme për jetën e saj private dhe marrëdhëniet që ka me të tjerët.
Nëse je miku im, atëherë je miku im. Nëse nuk je, atëherë nuk je
-u shpreh aktorja, duke lënë të kuptohet se nuk ndikohet nga thashethemet që qarkullojnë në internet.
Erivo zbuloi gjithashtu se ajo dhe Ariana Grande vazhdojnë të komunikojnë rregullisht dhe të ruajnë një raport shumë të mirë edhe pas përfundimit të xhirimeve.
Edhe Ariana ka folur më herët për miqësinë e tyre, duke treguar se gjatë realizimit të “Wicked” të dyja janë mbështetur vazhdimisht te njëra-tjetra dhe kanë krijuar një bashkëpunim të veçantë, që vazhdon edhe sot.