Bota

Armëpushimi për Pashkët, sqaron Kremlini: Presidenti Putin nuk ka urdhëruar një vendim të tillë!

Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka urdhëruar zgjatjen e armëpushimit të tij të Pashkëve, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.

Komentet e raportuara nga agjencia ruse e lajmeve Tass vijnë vetëm disa orë para përfundimit të “armëpushimit të Pashkëve” 30 orësh të Putinit.

Presidenti rus u zotua të ndalojë “të gjitha operacionet ushtarake” nga ora 16:00 (me orën britanike) dje deri në orën 22:00 me kohën e Mbretërisë së Bashkuar sonte, por të dyja palët që atëherë kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje.

Mbrëmjen e djeshme, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje që propozimi të zgjatet, duke pretenduar se 30 orë ishin “të mjaftueshme për të bërë tituj, por jo për masa të vërteta të ndërtimit të besimit”.

Ai shtoi se një pauzë 30-ditore “mund t’i japë paqes një shans”.

Urdhri i Putinit për ndalimin e të gjitha veprimeve luftarake gjatë fundjavës së Pashkëve, vjen pas disa muajsh përpjekje nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të bindur Moskën dhe Kievin që të bien dakord për një armëpushim, lidhur me luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.

Të premten, Uashingtoni kërcënoi se do të tërhiqej nga bisedimet nëse nuk kishte përparim të prekshëm.

Sot nga ora 18:00 [sipas kohës lokale] të shtunën, deri në mesnatën e së dielës, pala ruse njofton për një armëpushim për Pashkët, u shpreh Putin një ditë më herët gjatë një takimi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov. Sipas shefit të Kremlinit, vendimin për armëpushim për festën e Pashkëve e mori për “arsye humanitare”.