Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi sot se forcat ruse kanë vazhduar bombardimet dhe sulmet përgjatë vijës së frontit, pavarësisht njoftimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për një armëpushim të shkurtër me rastin e festës së Pashkëve. Armëpushimi 30 orësh do të ishte pauza më e rëndësishme në luftimet mes palëve gjatë këtij konflikti trevjeçar.
Por, vetëm disa orë pasi urdhri pritej të hynte në fuqi, në Kiev e në disa rajone të tjera të Ukrainës u dëgjuan sirenat paralajmëruese për sulme ajrore në kohën kur Zelensky akuzoi Rusinë se nuk ka ndalur sulmet.
Në drejtimet e ndryshme të vijës së frontit, janë regjistruar tashmë 59 raste të bombardimeve ruse dhe pesë sulme nga njësi po ruse, njoftoi presidentit ukrainas Zelensky përmes rrjeteve sociale, duke cituar një raport të komandantit të përgjithshëm ukrainas, Oleksandr Syrsky, që i referohet sulmeve deri në orën 06:00 të mëngjesit, sipas asaj lokale.
Ai shtoi se gjatë gjashtë orëve, deri në mesnatën e së shtunës u regjistruan 387 raste të hedhjes së granatave e 19 sulme nga forcat ruse, ndërsa dronët ishin “përdorur 290 herë nga ana e armikut”.
Në përgjithësi, në mëngjesin e Pashkëve, mund të themi se ushtria ruse po përpiqet të krijojë përshtypjen e një armëpushimi, ndërsa në disa zona vazhdojnë përpjekjet e izoluara për të avancuar dhe për t’i shkaktuar humbje Ukrainës, u theksua në postimin e Zelensky-t.
Urdhri i Putinit për ndalimin e të gjitha veprimeve luftarake gjatë fundjavës së Pashkëve, vjen pas disa muajsh përpjekje nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të bindur Moskën dhe Kievin që të bien dakord për një armëpushim, lidhur me luftën që nisi në shkurt të vitit 2022.
Të premten, Uashingtoni kërcënoi se do të tërhiqej nga bisedimet nëse nuk kishte përparim të prekshëm.
Sot nga ora 18:00 [sipas kohës lokale] të shtunën, deri në mesnatën e së dielës, pala ruse njofton për një armëpushim për Pashkët, u shpreh Putin një ditë më herët gjatë një takimi me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov. Sipas shefit të Kremlinit, vendimin për armëpushim për festën e Pashkëve e mori për “arsye humanitare”.