Bota

Armëpushimi Rusi-Ukrainë, Trump: Do të “dëgjojmë” nga Rusia këtë javë!

Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara presin të “dëgjojnë” nga Rusia “këtë javë” mbi propozimin e SHBA për një armëpushim midis Moskës dhe Kievit.

“Ne do të dëgjojmë prej tyre këtë javë, shumë shpejt dhe do të shohim çfarë do bëjmë. Por ne duam që kjo luftë të ndalojë. Ne duam që vdekjet dhe vrasjet të ndalojnë nga të dyja anët”, u tha presidenti gazetarëve në Zyrën Ovale.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i tij, Steve Witkoff, po takohen me zyrtarët ukrainas në Paris në një samit që synon të forcojë mbrojtjen e Ukrainës kundër sulmeve të vazhdueshme të Rusisë.

Takimi i presidentit rus, Vladimir Putin me Steve Witkoff, të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump, ishte jashtëzakonisht produktiv, por vende të ndryshme po përpiqen të prishin dialogun midis Moskës dhe Uashingtonit, tha sot i dërguari special i Kremlinit për investime, Kirill Dmitriev.

Putin priti Witkoff në Shën Petersburg të premten e kaluar dhe ata biseduan për gati pesë orë. Të pranishëm ishin Dmitriev dhe këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov.