Bota

Arrestimi i Maduros nga amerikanët, a kishte një marrëveshje të fshehtë?

Thuhet se Nicolas Maduro u kap në gjumë, me gruan e tij, Cilia Flores, të sigurt në vilën e tyre brenda bazës ushtarake Ft. Tiuna, pak jashtë Karakasit, kryeqytetit të Venezuelës.

Në një operacion të papritur amerikan në mes të natës, sipas burimeve ushtarake që citohen nga CNN, Nicolas Maduro u arrestua me bashkëshorten dhe u çua në anijen USS Iwo Jima, para dërgimit në Nju Jork, ku tashmë është paditur dhe do të dalë në gjyq për krime të lidhura me trafikun e drogës, sipas aktakuzës së ngritur në vitin 2020.

Rreth 30 minuta zjarr mbi Karakasin dhe bazat kryesore ushtarake në Venezuelën veriore. Një sulm i papritur dhe intensiv e që sipas informacioneve të mbledhura deri më tani, nuk ishte gjë tjetër veçse një shpërqendrim ndërsa një grup i vogël ushtarak sulmoi rezidencën e mbrojtur rëndë të Nicolas Maduros.

Përgjegjësia ra mbi forcat speciale Delta Force, të njëjtat që në vitin 2019 kryen me sukses operacionin që vrau Abu Bakr al-Baghdadi, kalifin e parë të ISIS-it.

Ata hynë me forcë në Fort Tiuna, duke hapur zjarr dhe ka viktima mes personelit të bazës. Më tej iu drejtuan  dhomës ku po pushonin Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores.

CIA drejtoi forcat Delta, që filluan të vepronin në gusht. Operacioni ishte “rezultat i muajve të tërë planifikimi të kujdesshëm”, i ndihmuar në javët e fundit nga një operativ i fshehtë, i cili monitoroi nga afër lëvizjet e Maduros, duke zbuluar se kur presidenti venezuelian do të ishte më i prekshëm, pavarësisht turmës së truprojave me të cilët rrethohej kohët e fundit.

New York Times raportoi këtë, duke deklaruar se operativi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës përdori gjithashtu një seri dronësh të fshehtë për të monitoruar vazhdimisht territorin.

Megjithatë, mbetet një mister si CIA identifikoi personin që do të rekrutohej nga rrethi i ngushtë i Nicolas Maduros, edhe pse burimet ushtarake besojnë se shpërblimi prej 50 milion dollarësh për kokën e udhëheqësit të Karakasit e lehtësoi ndjeshëm procesin e përzgjedhjes.

Lehtësia me të cilën ushtria amerikane arriti të arrestojë presidenti  Maduro ka lënë shumë dyshime. Pak minuta pasi u përhap lajmi për kapjen e tij, burime venezueliane zbuluan se ishte një “dalje e negociuar”.

Ngre pikëpyetje mungesa totale e reagimit nga forcat e armatosura të Karakasit.

Brenda kufijve të saj, ushtria venezueliane kishte mjetet për t’u përgjigjur. Në vend të kësaj, helikopterët amerikanë fluturuan me qetësi pa u kërcënuar. Kjo ngre disa pyetje në lidhje me marrëveshjet e mundshme të fshehta.