Bota

Fund epokës Maduro/Presidenti i Venezuelës u kap me bashkëshorten në dhomën e gjumit, ekstradim ne Nju Jork!

Presidenti venezuelian, Nicolas Maduro dhe gruaja e tij u kapën dhe u nxorën jashtë vendit gjatë një operacioni të urdhëruar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Sulmi në shkallë të gjerë filloi në orën 02:00 të mëngjesit në Karakas, ku u dëgjuan shpërthime të shumta.

Ishte një operacion i shkëlqyer, komentoi Trump.

E ndoqa operacionin (në Venezuelë) në kohë reale nga Mar-a-Lago,  sikur po shikoja një program televiziv.

Ishte një gjë e jashtëzakonshme, shtoi Donald Trump në një intervistë me Fox News, duke theksuar se nuk kishte “viktima” amerikane.

Presidenti amerikan përmendi disa të plagosur.

Nuk humbëm asnjë aeroplan, gjithçka u kthye. Një helikopter u godit mjaft fort, por arritëm ta rikuperonim.

Duke iu referuar luftës kundër trafikut të drogës, shpjegoi se operacioni ishte i nevojshëm:

Kjo është një luftë në të cilën po humbasim 300,000 njerëz në vit. Në një luftë të vërtetë, nuk humbasim kaq shumë njerëz.

Trump shtoi se ishte informuar nga “personeli ushtarak” se “nuk ka asnjë vend tjetër në botë, të aftë të kryejë një manovër si kjo”, duke theksuar:

Të kesh vetëm disa viktima dhe asnjë vdekje nga ana jonë është vërtet e pabesueshme.

Po ashtu, Trump zbuloi se fillimisht, operacioni ishte planifikuar për katër ditë më parë, por qe shtyrë sepse “kushtet e motit nuk ishin perfekte”.

Moti duhet të jetë perfekt, vuri në dukje Trump.

Shtetet e Bashkuara do të jenë “të përfshira thellësisht në industrinë e naftës së Venezuelës”, siç tha Donald Trump në intervistën me Fox News.

Uashingtoni do të luajë një rol qendror në të ardhmen e vendit pas kapjes së Presidentit Nicolás Maduro.

Karakasi ka rezervat më të mëdha të naftës në planet. Presidenti amerikan e vuri theksin edhe te marrëdhënia e tij të shkëlqyer me kolegun kinez Xi Jinping, duke minimizuar përfshirjen e mundshme të Pekinit pas kapjes së Maduros.

Përpara kapjes së tij, Maduro kishte fajësuar Shtetet e Bashkuara për sulmet dhe kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kina dhe Rusia, partnerët e hershëm të Venezuelës, reaguan ashpër.

Asnjë zgjidhje politike e qëndrueshme nuk mund të imponohet nga jashtë, tha Ministri i Jashtëm Francez Jean-Noël Barrot, duke komentuar aksionin amerikan në Venezuelë dhe kapjen e Nicolas Maduros.

Operacioni ushtarak që çoi në kapjen e tij shkel parimin e mospërdorimit të forcës, i cili është baza e së drejtës ndërkombëtare, shkroi ministri në një mesazh.

Franca përsërit se asnjë zgjidhje politike e qëndrueshme nuk mund të imponohet nga jashtë dhe se vetëm popujt sovranë vendosin për të ardhmen e tyre.