Arrestohet ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Veselin Veloviç. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “akte të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me detyrën dhe kontrabandë”. Me të njëjtat akuza përballen dhe tre persona.
Me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special, Departamenti i Policisë Speciale ka privuar nga liria V.V e M.N e ndaj tyre është ngritur padi penale, si dhe kundrejt A.M e N.M, të cilët janë në kërkim.
Policia bastisi banesat e të tjera objekte në pronësi të të arrestuarve.
Denoncimet kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Europoli-in. Ndërkaq, hetimet vazhdojnë.
Kush është Veselin Veloviç?
Veloviç ka qenë drejtor i Policisë së Malit të Zi në periudhën 2007-2011, si dhe prej mesit të 2018-ës deri në fund të 2020-ës.
Në vitet mes dy mandatave ka qenë këshilltar i ish-presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç për çështje të sigurisë e mbrojtjes. Në qeverinë e ish-kryeministrit Milo Gjukanoviç mbante detyrën e sekretarit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Prej fundit të 2020-ës, pas ndryshimit të qeverisë, ai punoi si këshilltar i Gjukanoviçit për çështje të sigurisë, deri më 20 maj të këtij viti. Gjukanoviç i humbi zgjedhjet presidenciale në prill. Veloviç ka pasur funksione të rëndësishme në Policinë e Malit të Zi, edhe para pavarësisë së shtetit. Më 1995-2005 ka qenë komandant i Njësitit Special kundër-Terrorizmit.
Në fund të viteve ‘90, gjatë trazirave politike mes Gjukanoviçit, kryeministër i Malit të Zi dhe presidentit Momor Bulatoviç, i cili ka qenë besnik ndaj Sllobodan Millosheviçit, në janar të vitit 1998 Veloviç parandaloi një përpjekje të mbështetësve të Bulatoviçit për të pushtuar selinë e qeverisë.
Më vonë, Veloviç u përfshi në disa afera ekonomike. Po ashtu u arrestua për sulm ndaj një zyrtari në protestat e shtatorit 2021 kur kundërshtohej shugurimi i Mitropolitit Joaniki në Kishën Ortodokse Serbe.
Pas dy ditëve fitoi lirinë dhe në maj, Gjykata e Lartë në Podgoricë, rrëzoi vendimin e shkallës së parë për lirimin e Veloviçit.