Arrestimi në kryeqytet i ish-oficerit të RENEA-s, Altin Morina, policia jep detaje. Në njoftimin e zyrtar thuhet se gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit, iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri, pistoletë. Gjithashtu, u prangos drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte Morina, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, ndaluan shtetasin A.M., 45 vjeç, i shpallur në kërkim nga SPAK, për veprën penale “Kultivimi i bimeve narkotike“, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë kontrollit fizik, 45-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve policore për këtë rast, u arrestua dhe drejtuesi i automjetit me të cilin lëvizte 45-vjeçari, shtetasi E.H., 25 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Altin Morina ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u, prej 17 majit të kaluar, kur u lëshuan 50 urdhër-arreste në kuadër të operacionit “Revanshi”. Ish-efektivi do të përballet me akuza për kultivim kanabisi dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ai vepronte si agjent për Durim Bamin, figurë e krimit të organizuar nën akuzë për vrasje, duke ofruar të zgjidhte problemet e Bamit me policinë. Kundrejt kësaj merrte pagesa e ryshfet edhe për oficerët e tjerë të policisë.
Lidhja e Altin Morinës me krimin e organizuar dhe Ervis Martinajn
Altin Morina dyshohej si i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Dyshohet edhe se kishte lidhje me Kreshnik Halilajn, i arrestuar në korrik 2021 për arsenal armësh dhe droge. Në këtë rast, dyshohet se fshehu prova duke thënë se kokaina e gjetur në shtëpinë e Halilajt ishte miell dhe jo lëndë narkotike.
Po ashtu, ka dyshime të forta për lidhje me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Tetë ditë para arrestimit, ishte parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.