Në botën e kujdesit personal, një trend po fiton famë të madhe në TikTok dhe Instagram. “Scent Layering”, ose rituali i kombinimit të disa aromave për të krijuar një nënshkrim personal që askush tjetër nuk e ka. Në vend që të përdorësh një parfum të vetëm, ideja është të krijosh një aromë unikale, që nuk është në asnjë raft parfumerie. Kjo qasje është kthyer në një formë të shprehjes individuale, ku aroma bëhet pjesë e identitetit.
“Scent Layering” nuk ka të bëjë me luksin, por me intimitetin. Në një botë ku shumë gjëra janë të standardizuara, nga modat, tek filtrat, tek estetikat vizuale, aroma është një prej gjërave të pakta që mund të mbetet vërtet personale. Dhe kjo është arsyeja pse sot njerëzit preferojnë të eksplorojnë kombinime të reja, duke përdorur shpesh nota të buta si: vanilje, kedër, musk i bardhë, qelibar, lotus, trëndafil, portokall të ëmbël.

Shumë persona i fillojnë ritualet e tyre me lotion trupit me aromë delikate, më pas shtojnë një body mist, e në fund një parfum më koncentrat. Kjo është bërë formula e ditës për shumë blogerë, sepse aroma ngjitet mbi lëkurë, rri më gjatë dhe ndryshon gjatë ditës sipas temperaturës së trupit. Estetika që përfaqëson ky trend është butësia. Nuk ka nevojë për aroma të forta, agresive, që mbushin dhomën. Aroma e re është e afërt, që ndihet nga ata që afrohen, që qëndrojnë pranë teje, që të përqafojnë. Është aromë për njerëzit që duam, jo për botën.
Kjo qasje është kthyer edhe në një mënyrë të vetëdijshme të ngadalësimit. Në vend që të nxitohesh në mëngjes, rri disa minuta para pasqyrës, zgjedh aromat, i kombinon. Ai është një moment që thotë se po kujdesesh për veten. Në një kohë të shpejtë, të zhurmshme dhe të tejngarkuar, aroma është një kujtesë fizike se njeriu ka shpirt.