Rajoni

Asgjë e re nga Kuvendi i Kosovës, dështon edhe përpjekja e 16-të për konstituimin!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot dështuan për të 16-ën herë me radhë që të konstituojnë përbërjen e 9-të parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sot, para një takimi të thirrur nga presidentja Vjosa Osmani me përfaqësues të partive politike për konsultime në përpjekje për zhbllokimin e ngërçit, ligjbërësit refuzuan për të 8-ën herë rresht që të formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë që më 1 maj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Propozimi u bë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime të merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në postin e lartë.

Sipas tyre, “nuk është kushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave”.

Derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Lista Serbe, edhe sot refuzuan që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë. Seanca e konstituimit do të vazhdojë të shtunën e 17 majit.

Deri tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës së konstituimit: raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve dhe betimin e deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Haxhiu e LVV-së po konsiderohet figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë tjetër emër për kryeparlamentar. Ndërkaq, LDK-ja shprehet se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera e ka përjashtuar mundësinë që të sjellë kandidat tjetër përveç saj.

Deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet qeveria e re.