Për të 15-ën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan të konstituojnë përbërjen e 9-të parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Ligjvënësit sërish refuzuan të formonin një komision për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryeparlamentarin. E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në postin e lartë.
Kërkesa për “interpretim të ndryshimit të votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit”, e paraqitur nga deputetë nga radhët e AAK-së, u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në vazhdimin e seancës së sotme të konstituimit, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe sërish refuzuan që të propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë. Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se nuk është kushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese të vendosë “një pezullim të përkohshëm, një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Seanca e konstituimit do të vazhdojë të enjten e 15 majit, në orën 10:00. Deri tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës: raportin e Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, si dhe betimin e deputetëve. Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.
Haxhiu e LVV-së po konsiderohet “figurë përçarëse” nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja. Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar. Ndërkaq, LDK-ja deklaroi se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër përveç saj.
Ndërkohë, Presidenca e Kosovës bëri të ditur se presidentja Vjosa Osmani do të nisë nga 15 maji konsultime me partitë politike, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin në Kuvend.