Bota

Avionët amerikanë rrëzohen “gabimisht” nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se tre avionë të tyre luftarakë F-15 u rrëzuan në Kuvajt. Dyshohet se u goditën gabimisht nga forcat aleate, që po mbështesnin Operacionin amerikan në Iran, të pagëzuar me emrin “Tërbimi Epik”.

Në njoftimin e Komandës Qendrore të SHBA-ve thuhet se “gjatë luftimeve aktive – që përfshinin sulme nga avionë iranianë, raketa balistike e dronë, avionët luftarakë të Forcave Ajrore të SHBA-ve u qëlluan gabimisht nga mbrojtja ajrore e Kuvajtit”.

Të gjashtë pjesëtarët e ekuipazhit u hodhën me parashutë dhe shpëtuan. Shkaku është nën hetim.

Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit tha se disa avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan mëngjesin e sotëm në territorin kuvajtjan, por se pilotët dhe ekuipazhet shpëtuan.

Autoritetet nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekuipazhet u evakuuan dhe u dërguan në spital për kontrolle shëndetësore e trajtim të nevojshëm.

Zëdhënësi shtoi se ka pasur koordinim të drejtpërdrejtë me forcat amerikane për detajet e se janë marrë disa masa të përbashkëta teknike.

Edhe sipas tij, autoritetet po vazhdojnë të hetojnë, për të përcaktuar shkakun e rënies.