Bota

Disa avionë ushtarakë amerikanë rrëzohen në Kuvajt!

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit njoftoi se disa avionë ushtarakë amerikanë u rrëzuan mëngjesin e sotëm në territorin e këtij vendi, por se pilotët dhe ekuipazhet shpëtuan.

Autoritetet nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekuipazhet u evakuuan dhe u dërguan në spital për kontrolle shëndetësore e trajtim të nevojshëm.

Zëdhënësi shtoi se ka pasur koordinim të drejtpërdrejtë me forcat amerikane për detajet e incidentit dhe se janë marrë disa masa të përbashkëta teknike.

Sipas tij, autoritetet po vazhdojnë të hetojnë, për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.  Deri tani, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara – Centcom nuk ka reaguar.

Më herët, ambasada amerikane në Kuvajt u bëri thirrje njerëzve që të shmangin selinë diplomatike të Uashingtonit atje e të strehohen në shtëpi.

Mos ejani në ambasadë, thuhet në udhëzimet e publikuara në faqen e saj të internetit. Strehoni në banesën tuaj, në katin më të ulët të disponueshëm dhe larg dritareve. Mos dilni jashtë!

Ambasada u bëri thirrje edhe qytetarëve amerikanë në Kuvajt, “të strehohen në vend të sigurt, t’i rishikojnë planet e sigurisë në rast sulmi e të qëndrojnë vigjilentë në rast sulmesh të mëtejshme në të ardhmen”.

Pamjet e shpërndara nga agjencia e lajmeve AFP treguan tym të zi pranë Ambasadës amerikane në Kuvajt. Zjarrfikësit dhe autoambulancat shkuan në zonë, raportoi Reuters.