Aktualitet

Provat që çuan SPAK te prona e fshehtë e Ballukut në Dhërmi! U tradhtua nga antena e celularit dhe llogaria e ‘Netflix’!

Prokuroria e Posaçme nuk ka asnjë dyshim se Vila në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi që formalisht rezulton në emër të ish futbollistit të njohur Igli Tare, i përket në fakt, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Janë një sërë hetimesh dhe provash të grumbulluara, të pasqyruara në dosjen që Report TV disponon, të cilat duket se nuk lënë shumë hapësirë për interpretim. Kontrolli në vilë ka zbuluar objekte që i përkasin familjarëve të saj, madje dhe llogaria në “Netflix” në televizorin e banesës, është hapur nga emaili i saj. Komunikimet e zbuluara në celularët dhe postën elektronike të vartësve të Ballukut e identifikojnë vilën si “të Belës” apo “shefes”. Të dhënat e telefonisë celulare, sipas SPAK, por edhe një llogari e Netflix në emër të Ballukut, tregojnë se prona përdorej rregullisht nga ish-zv.kryeministrja dhe familjarët e saj.

Viola Haxhiademi, drejtoreshë e Departamentit Administrativ në Albcontrol, një emër që e ka shoqëruar Ballukun dhe kur ajo u bë pjesë e qeverisë, e dëshmon qartë në një komunikim me motrën e saj Dorela, se vila e Belës do të jetë ngjitur me atë të familjes së saj.

“Zemer, Po të dërgoj fotot e Belës që të kuptosh në ç’fazë është shtëpia. Të kam dërguar dhe planin e projektit për te parë për cilën bëhet fjalë. Bela ka f5 ndërsa ne kemi f6. Po të shikosh në foton që kam bërë më afër me vilat ka vizatuar dhe ku do bëhet pishina. Më pëlqen shumë. Puuuuссссс”, i shkruan ajo.

Kontrata e qirasë që Tare ka lidhur me një vartëse të Ballukut, Joana Bushi, i përket vitit 2022 e në vijim, ndërkohë që SPAK thotë se Balluku e ka përdorur vilën që në vitin 2019, kur sapo kishin përfunduar punimet. Vetë Balluku kishte hapur atë vit, një grup në Whatsapp, të titulluar “Dhërmi” ku ishin përfshirë vartës të saj që kishin vila në këtë kompleks.

SPAK, thotë se përveç akuzës për “Shkelje të barazisë në tendera” Balluku tani dyshohet dhe për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Dyshimet bazohen në një procedurë prokurorimi të Albcontrol në vitin 2014 kur Balluku drejtonte këtë institucion. Rikonstruksioni i godinës së Albcontrol, rezulton sipas akteve të Prokurorisë së Posaçme, të jetë realizuar përmes një gare tërësisht fiktive, ku çdo hallkë e procesit është koordinuar, madje paraprirë nga kompania “Eurocol”, e sipërmarrësit Pandeli Carapuli, e cila do të shpallej më pas, zyrtarisht, si fituese, për kryerjen e punimeve me një fond total prej gati 102 milionë lekë, pa TVSH.

Falë kësaj gare, sipas SPAK, Balluku do të merrte si shpërblim, një vilë në kompleksin turistik “White rocks” ndërtuar nga e njejta kompani. Por për të fshehur gjurmët, vila u rregjistrua në emër të Igli Tares, i cili rezulton të ketë kryer vetëm gjysmën e pagesës së çmimit të deklaruar prej 145 mijë eurosh.